Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, Hahn: Shqipëria, një shembull pozitiv në rajon

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka komentuar ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën për integrimin në Bashkimin Europian. Në deklaratë, Hahn ka marrë si një shembull pozitiv Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se si “angazhimi i BE në Ballkan po ndihmon rajonin të ndërtojë një të ardhme më të mirë”.

Hahn u ndal dhe tek marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, sipas së cilit shtetet anëtare të Unionit do të pranojnë përparimin e dukshëm të Maqedonisë së Veriut dhe është i bindur se do të hapen negociatat e pranimit para verës. Nga ana tjetër, përmendi edhe vendin tonë, si një shembull pozitiv në rajon.

Ai thekson se Ballkani Perëndimor ka një dritare të vërtetë mundësish.

“Ballkani Perëndimor tani ka një dritare të hapur mundësish. Megjithatë, pranimi në BE është një sfidë që kërkon përpjekje të mëdha të përbashkëta. Megjithatë ka ende shumë për t’u bërë. Anëtarët e ardhshëm duhet të respektojnë vlerat e BE-së dhe të punojnë në pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal. Përveç kësaj, shtetet anëtare të BE-së duhet të përmbushin angazhimet e tyre në të cilat ata gjithmonë kanë rënë dakord në mënyrë unanime. Bashkimi Evropian ka kohë që është angazhuar fuqimisht në rajonin e Ballkanit dhe ka mbështetur të ardhmen e tij si pjesë integrale e BE. Është në interesin tonë të angazhohemi me rajonin, pasi kjo do ta bëjë Bashkimin Europian më të fortë. Viti i kaluar ishte thelbësor, sepse u morën vendime historike mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Strategjia e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian. Strategjia ripohon një perspektivë të qartë evropiane të rajonit”, tha Hahn.