Ish-ministri pas vizitës te Thaçi: Luftëtari mbetet luftëtar edhe kur i heq armët nga duart

Ish-ministri i Tregtisë, Bajram Hasani i shoqëruar nga ish-zëvendësministri Izmi Zeka ka vizituar presidentin Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Pas vizitës nëpërmjet një postimi në Facebook, Hasani ka shkruar se luftëtari mbetet gjithmonë luftëtar. Madje sipas tij edhe  atëherë kur e heq armën nga duart.

“Nga beteja me armë në betejën për ndërtimin e shtetit e nga kjo e fundit në betejën për mbrojtjen e luftës së shenjtë për liri. I tillë është Hashim Thaçi dhe shokët e tij.

I tillë ishte edhe sot gjatë orëve sa qëndruam bashkë me miqtë e mi Izmi Zeka, Fatmir Daku dhe Jeton Ukshini, në Qendrën e Paraburgimit”, Ka shkruar Hasani.

Sipas tij Thaçi ishte në gjendje të mirë dhe ishte i bindur në fitoren e luftës së UÇK-së.

“Shëndetplotë, i afërt dhe i bindur për triumfin e tij dhe shokëve në mbrojtje të së vërtetës më sublime të këtij populli, UÇK-së. Dalshi faqebardhë!”, ka shkruar Hasani.