Ish-shefi i analitikës së UDB-së në Kosovë thoshte se Mehmet Kraja i spiunoi stërvitjet e themeluesve të UÇK-së në Shqipëri

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, është akuzuar në vazhdimësi si bashkëpunëtor i UDB-së jugosllave.

Se Mehmet Kraja i ka ndihmuar këtij shërbimi ka thënë në një intervistë edhe Zoran Stijoviq, ish shef i analitikës së sigurimit të shtetit në Kosovë brenda UDB-së.

Ai në një intervistë për televizionin Top Channel kishte thënë se Kraja ka qenë ndër njerëzit që ia ka mundësuar UDB-së të ketë informacion të saktë për luftëtarët e UÇK-së dhe aktivitetin e saj.

“Kemi patur mjaft informacione. Që në fillim me aktivitetet tona kemi ardhur deri te të dhënat se çfarë po ndodhte. Kemi pasur një operacion që në vitin 1991. Kemi dokumentuar se persona nga Kosova, Dukagjini dhe Maqedonia ishin duke përgatitur ushtrime në territorin e Shqipërisë. Kemi arritur të fusim një numër njerëzish në këto përgatitje dhe shpejt kemi pasur informacione me emra dhe mbiemra. Në këtë fazë kemi patur përparësi. E kemi ditur se si shkojnë. Ka qenë shkrimtari Mehmet Kraja, pastaj avokati Ragip Gashi nga Prishtina e njerëz të tjerë që të mos flasë me emra. Ka kaluar kohë. Përmes kësaj kemi ardhur deri tek listat”, kishte thënë ai.

Një akuzë të tillë kohë më parë e ka bërë edhe një agjent shqiptar i këtij shërbimi, Nafi Çegrani.

Ai në faqen 129 – 130 të librit “Ballë për ballë me vdekjen” kishte shkruar se pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së Rankoviqit, vazhdon spiunazhi në mes shqiptarëve, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri, gati të gjitha redaksitë e gazetave dhe të radiotelevizioneve në Maqedoni dhe Kosovë ishin shndërruar në qendra rezidente, me të cilat SDB-ja (UDB-ja – Sh.B) vite me radhë e sinkronizonte veprimtarinë e vet të errët kundër shqiptarëve.

“Në kohën kur në SDB të Kosovës këtij shërbimi sekret iu “shitën” falas edhe shumë gazetarë të “Rilindjes”, si … Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi…, ndërsa në Televizionin e Prishtinës ******, disa të punësuar në Arkivin Historik të Kosovës etj”, thoshte ai.

Çegrani shprehej se „në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe pranë Televizionit të Shkupit tregohen mjaft aktivë Luan Starova dhe Alush Kamberi,…“ dhe „në radhët e tyre hynë ndërkohë edhe majori rezervë Menduh Ajdini, dhëndër i Meti dhe Nushi Kërliut *, si edhe dhëndri i tyre Ali Aliu“. (Për më tepër lexo te libri i N.Çegranit fq.130).