Ja çfarë u diskutua në takimin e jashtëzakonshëm të koalicionit qeverisës

0
227
Pas më shumë se dy orë diskutimi, ka përfunduar takimi i liderëve të koalicionit qeverisës.
Takimi i jashtëzakonshëm i koalicionit qeverisës i thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka përfunduar para pak minutash, takim ky që zgjati më shumë se dy orë, raporton lajmi.net.
Në këtë takim ishte Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.
Qeveria e Kosovës ka dërguar një njoftim ku ka treguar se çfarë është diskutuar në këtë takim, raporton më tutje lajmi.net.
Sipas njoftimit, në këtë takim nuk është diskutuar konkretisht për taksën prej 100 për qind mirëpo, liderët e koalicionit sipas njoftimit janë zotuar për intensifikimin e hapave dhe bashkërëndimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në.
Po ashtu temë e diskutimit ka qenë edhe dialogu me Serbinë.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike  në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.
Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura.
Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.
Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërëndimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në.
Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil.
Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse.