Jahti u fik në det, shpëtohen 7 turistë të huaj në Durrës

Roja bregdetare në Durrës ka arritur të shpëtojë 7 turistë italianë. Turistët dhanë alarmin sos 5 milje larg portit të Durrësit, pasi jahti i tyre pësoi fikje të motorit për shkak të motit, i cili u shoqërua me erë dhe furtunë.

“BalkanWeb” raporton se pas incidentit në mes të detit, shtatë turistët italianë kërkuan menjëherë ndihmën e kapitenerisë së Durrësit, ndërsa falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të treguar, gjithçka nga ky operacion shpëtimi përfundoi pa pasoja.

Kapiteni Taulant Allka i tha “BalkanWeb” se strukturat portuale janë angazhuar në kohë dhe falë ndihmës së shpejtë, jahti me shtatë turistët italianë është ankoruar në breg, ndërsa raportohet se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.