Janë në marrëveshje me Vuçiqin – Haradinaj godet Kurtin, Osmanin e Konjufcën / Treshja e rrezikshme

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ftuar në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun, në Kanal10, ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit, Albin Kurti, presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, duke thënë se të tre liderët nuk përfaqësojnë interesat e Kosovës.

“Kam dyshime shumë të forta që këta nuk përfaqësojnë interesat dhe kanë vetëm interesin që me ruajt votat edhe duke e rreziku Kosovën, sigurinë e Kosovës dhe aleancat e saj”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij dëmët që ia kanë shkaktuar këta tre Kosovës kanë pasoja afatgjate.

Haradinaj tutje ka thënë se treshja bashkë me Kusari-Lilën janë në marrëveshje me Vuçiqin dhe Radojiçiqin.

“Këta janë në marrëveshje me Vuçiqin dhe tani Vuçiq është në vështirësi atje për shkak se ka kritika të mëdha për zgjedhjet dhe këta do të bëjnë çmos me shpëtu aleatin e tyre me incidente në veri”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij këta tre punojnë në sinkron me Vuçiqin.