JEMEN – Rebelët Huthi zotohen të sulmojnë me raketa nëse SHBA-ja ndërhyn në Rripin e Gazës

KAJRO, 10 tetor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi rebel i Jemenit, aleat i Iranit, Abdel-Malek al-Houthi kërcënoi sot se do të përgjigjet me raketa dhe dronë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërhyjnë në konfliktin e Rripit të Gazës.

“Ka vija të kuqe në situatën e lidhur me Rripin e Gazës, dhe ne po koordinohemi me vëllezërit tanë … dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë në çdo mënyrë që mundemi”, tha ai në një fjalim të transmetuar në TV al-Masirah.

“Nëse SHBA-ja ndërhyn drejtpërdrejt, ushtarakisht … ne jemi gati të veprojmë me sulme raketore, drone dhe të gjitha opsionet ushtarake që kemi ne dispozicion”, shtoi ai.

Rebelët Huthi, të cilët kanë kontrolluar kryeqytetin e Jemenit, Sana që nga viti 2014, kanë nisur disa sulme gjatë viteve duke shënjestruar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të cilët janë të dy mbështetës të qeverisë jemenase dhe udhëheqin një koalicion që lufton organizatën islamike politike Huthis.