Kallëzim penal kundër kryetarit të Graçanicës për bilbordin “Liria ka emër”

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës është ngritur kallëzim penal kundër kryetar të Graçanicës, Sërgjan Popiviq nga zëvendës-kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj komune Granit Gashi për ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”.

Në kallëzim penal që e ka siguruar gazeta Objektiv thuhet se kryetari i kësaj komune me shumicë serbe ka folur publikisht para mediave lidhur me sloganin “Lira ka Emër” e cila ishte vendosur në hyre të Graçanicës, konkretisht në fshatin Kishnicë.

Ai kishte thënë se ky veprim e ka shqetësuar popullatën dhe se qeverisja lokale do të mbajë takime me institucionet kompetente të ngarkuara me ruajtjen e sigurisë dhe sigurisë.

“Kush guxoi të vendoste një provokim të tillë në hyrje të një prej komunave më të mëdha serbe? Duhet të hetohet. Një shqetësim i veçantë është fakti që paneli u vendos vetëm disa dhjetëra metra nga shtëpitë e disa familjeve serbe që mbetën në qytetin minerarë të Kishnicës. Edhe pa këtë ngjarje, ata janë të ekspozuar ndaj frikës së vazhdueshme për sigurinë e tyre”, kishte thënë Popoviq.

Sipas këtij kallëzimi, slogani në fjalë ishte vendosur në magjistralen Prishtinë-Gjilan dhe ato vendkalime i mirëmban ministria përkrahëse dhe nuk bien nën kompetencën e komunës.

Për këtë është kërkuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që të filloj hetimet për nxitje të përçarjes.

Me 14 nëntor, në Kishnicë, e cila gjendet në territorin e Komunës së Graçanicës, është djegur bilbordi me mbishkrimin “Liria ka Emër, UÇK”.

Bilbordet me mbishkrimet “Liria ka Emër” janë vendosur në shumë pjesë të Kosovës, në kuadër të një fushate mbështetjeje ndaj ish-udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.