Kallëzimi penal i plotë kundër ministrit Hekuran Murati dhe sekretarit Enis Spahiu

Partia Demokratike e Kosovës sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër Ministrit të Financave Hekuran Murati dhe U.D., sekretarit të kësaj ministrie Enis Spahiu, për çështjen e mosekzekutimit të pagave për rreth 25 mijë mësimdhënës që qëndruan në grevë për më shumë se një muaj.

Ky kallëzim penal pretendon se Murati e Spahiu kanë bërë “Shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 190, “Cenimin e të drejtave në marrëdhëniet e punës” nga neni 218, “Cenimin e të drejtës në grevë” nga neni 221, në lidhje me nenin 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, i Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Në kallëzimin penal të ushtruar kundër Muratit e Spahiut thuhet se pavarësisht përpjekjeve dhe takimeve të shumta me qeverinë, kjo e fundit asnjëherë nuk i mori seriozisht kërkesat e SBASHK dhe as pasojat nga vonesa e fillimit të vitit shkollor.

“Në këtë kuptim, qeveria ishte përgjegjëse për situatën e krijuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të lëvizur nga qëndrimi i saj (fillestar), përkundër faktit se SBASHK-u kishte qenë e gatshme për të rishikuar kërkesën e saj për shtesën financiare të kërkuar fillimisht”, thuhet në kallëzimin penal.