Kastrati: Shkëmbimi i territoreve mbetet zgjidhja e vetme, nuk e kemi luksin që për dekada të kemi konflikt

Anëtari i PSD-së, Qëndron Kastrati, ka thënë se plani franko-gjerman do të jetë vazhdim i status-quos aktuale dhe se zgjidhja e vetme për përfundimin e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi mbetet shkëmbimi i territoreve.

Ai thotë se zgjerimi i autonomisë për serbët në Kosovë është i papranueshëm, pasi kjo do të mund të krijonte rrethana për Serbinë që t’i përdorë ata politikisht sikur që bën në Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

“Është totalisht e papranueshme që serbët të krijojnë autonomi në Kosovë. Jo që jemi kundër të drejtave të tyre. Ata duhet të kenë të drejta. Por të drejtat politike të veçanta brenda shteteve të tregojnë se çfarë roli destruktiv kanë serbët në Bosnjë, Mal të Zi e të tjera”, tha ai në emisionin DPT te Fidani në T7.

“Jemi që popujt të kenë të drejta të barabarta, por kështu edhe 10 vite mund të zgjasë e të mos përfundojë asgjë. Njerëzit kanë të drejtë të jetojnë kudo që të zgjedhin”, shtoi ai.

Ai tha se si PSD, zgjidhje të vetme e shohin shkëmbimin e territoreve.

“Ne si PSD jemi për shkëmbim të territoreve. Kishte përkrahje nga Shqipëria, Maqedonia e Serbia por këtu nuk kishte pajtim pasi nuk shikohej interesi afatgjatë por interesat e ngushta. Kishte përkrahje edhe nga SHBA në atë kohë pasi e përcollëm mirë zhvillimet. Jemi të bindur se do të pranohej edhe nga europianët po të kishte pajtim mes neve”, përfundoi ai. /Gazeta Express/