Katër minutat e Albin Kurtit e Hashim Thaçit

U janë dashur disa ditë për ta caktuar takimin e tyre të parë. Hashim Thaçi dhe Albin Kurti edhe pse armiq të moçëm megjithatë ia dolën të merren vesh që ta lënë 6 janarin si një datë kur do të shiheshin në Zyrën e Presidentit. Mbase për ta realizuar takimin më të shkurtër në karrierat e tyre.

Por, kur Kurti shkoi në Zyrën e Shefit të Shtetit gjithçka shkoi shpejt. Presidenti i vendit dhe pretendenti për krijimin e Qeverisë së re, lideri i Vetëvendosjes ndenjën së bashku vetëm 4 minuta. Kështu ka thënë një zyrtar që ka marrë pjesë në këtë takim.

Kur ka dalë para gazetarëve, pothuajse me shpejtësi drite, Kurti ka thënë se takimi i shkurtër nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik.

“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, ky ishte një takim i shkurtër konsultativ pa efekte juridike, lidhur me fazën e ardhshme konstituive të institucioneve që sot i kanë mbushur tre muaj. Unë dëgjova presidentin në këtë takim disaminutësh, unë dëgjova presidentin që shprehu interesimin për krijimin e qeverisë, por, njëkohësisht edhe tha që e di që ju nevojitet një kohë e caktuar, por, gjithashtu ne do ta bëjmë propozimin”, ka thënë Kurti.

E që nuk ka filluar numërimi i 15 ditëshit që mandatari e ka në dispozicion pasi të nominohet e ka pranuar edhe Hashim Thaçi.

Por, Presidenti ka bërë me dije se ia ka vendosur Kurtit një afat 48 orëshe që t’ia çojë propozimin për Qeverinë e re.

“Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore” ka thënë ai./ Express