Kelmendi, Haxhiut: Nëse e ndjek dikë penalisht për tallje në Facebook, ndiqi edhe militantët partiakë

Drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka reaguar ndaj postimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila mbrëmë njoftoi se do ta raportojë në polici talljen e një qytetari që kishte bërë me një shkrim të saj, në lidhje me tentim dhunimin e një 14-vjeçareje.

Kelmendi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nëse Haxhiu e ndjek dikë penalisht për tallje në Facebook, atëherë veprime të tilla duhet të ndërmarrë edhe për militantët, që, sipas tij, shajnë, fyejnë e bëjnë tallje nëpër rrjete sociale.

“Nëse ministrja e Drejtësisë ndjek penalisht një person që është tallur në Facebook – sado e papranueshme dhe e pashije tallja e tij – atëherë të gjithë duhet t’i kërkojmë asaj si ministre t’i procedojë penalisht të gjithë ata militantë që shajnë, kërcënojnë, fyejnë e tallin nëpër rrjete sociale”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.

Sipas tij, numri më i madh i atyre që bëjnë këso “veprash penale” nëpër rrjete sociale, janë militantët partiakë dhe fetarë, shpesh, siç thotë ai, të ndërsyer nga zyrtarë të lartë partiakë dhe klerikë fetarë.

“Nuk ka standarde të dyfishta”, ka shtuar ai.