Kërkesa për blerjen e raketave “Javelin”, Haradinaj: Do të ishte sukses sikur të mos ishte vonuar me vite

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi kërkesës së Kosovës për të porositur raketa anti-tank “Javelin” në ShBA.

Haradinaj përmes një postimi ka shkruar se lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite, pasi sipas tij, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat “Javelin”.

Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë! Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në”, ka shkruar Haradinaj.