Kolegu me koronavirus “mbyll” qeverinë, 15 ministra futen në karantinë

Pesëmbëdhjetë ministra të qeverisë polake janë futur në karantinë pas njoftimit se ministri 29-vjeçar i Mjedisit Michal Wos testoi pozitiv ndaj koronavirusit.

Lajmin e ka bërë me dije shefi i shtabit të kryeministrit, Michal Dworczyk, raporton The Guardian.

Ministri Wos njoftoi se kishte rezultuar pozitiv të hënën në mbrëmje. Ai tha se ndihej mirë. Mbledhja e fundit e qeverisë polake u mbajt më 10 mars.

Sipas Dworczyk, nëntë nga 24 ministrat munguan në atë takim, përfshirë kryeministrin Mateusz Morawiecki dhe ministrin e Shëndetësisë Lukasz Szumowski. Ministrat e mbetur u testuan të hënën në mbrëmje dhe janë në karantinë në pritje të rezultateve që duhet të dalin gjatë ditës sot.

Të hënën në mbrëmje, ministri i Shendetesise Szumowski tha që piku i rasteve me Covid-19 në Poloni mund të ndodhë brenda 2-3 javëve. Janë 177 raste të konfirmuara me katër vdekje deri më tani.