Konjufca: Masat e BE-së të padrejta, thuajse Serbia s’ka kurrfarë përgjegjësie

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka cilësuar si të padrejta masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës.

Ai tha se ato u aplikuan vetëm ndaj Kosovës sikurse Serbia nuk ka asnjë përgjegjësi për situatën, derisa tha se është pikërisht presidenti serb Vuçiq që e nisi gjithë këtë.

“Nga ky aspekt më duken si të padrejta, thuajse se Serbia ska kurrfarë përgjegjësie për ato që po ndodhin në veri. Përgjegjësia e Vuçiqit është e drejtpërdrejtë. ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar serbëve të japin dorëheqje, ai e filloi. Institucionet mbeten vakante. Tash ishin dy opsione ose të triumfonte ai Vuçiqit ose ai i Kosovës. Dy herë e kemi shtyrë afatin për zgjedhjet”, tha Konjufca në një intervistë për T7.

Konjufca tha se në Veri u pa nga kush u shkaktua dhuna, prandaj tha se e pikëllon që masat nga BE u morën vetëm ndaj Kosovës.

“Deputeti i Bundestagut e publikoi videon e atij që ushtronte dhunë ndaj KFOR-it. Ai ishte polic i Serbisë dhe pasdite kishte ardhur këtu për dhunë. Kur i sheh të gjitha këto dhe me marrë masa ndaj Kosovës, kjo po më pikëllon”.

Për zgjedhjet në Veri, Konjufca tha se e kanë kohën e tyre edhe në aspektin që duhet të ketë një rrugë ligjore si të shkohet atje.

“Do të ishte jodemoratike të kërkohet dorëheqje e kryetarëve. Ata s’kanë vullnet për të dhënë dorëheqje. Nënshkrimet duhet të grumbullohen nga qytetarët. Për këtë është pajtuar kryeministri, BE, por edhe Serbia është pajtuar me këtë”.