Konsiderohet e turpshme deklarata e Abazoviqit për gjenocidin në Srebrenicë

E turpshme po konsiderohet deklarata e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, rreth gjenocidit të kryer 27 vjet më parë mbi Srebrenicë. Ai tha se në Srebrenicë nuk është bërë gjenocid ndaj boshnjakëve, por ndaj njerëzve.

“Nuk është bërë nga ushtritë, por nga politikanët”, tha ai, derisa Reuf Bajroviq, nënkryetar i Aleancës Amerikano-Evropiane, deklaroi se kjo deklaratë është “turp për Malin e Zi”, shkroi mediumi malazez “CDM”.

“Abazoviqi e bëri atë në emër të Malit të Zi. Kjo është arsyeja pse Mali i Zi tani është i detyruar t’i dërgojë një falje Bosnje-Hercegovinës. Presidenti Milo Gjukanoviq tani duhet të kërkojë falje në emër të vendit”, thotë Bajroviq.

Bajroviq theksoi se deklarata e Abazoviqit është e rëndë, derisa shtoi se njerëzit në Srebrenicë u vranë “pikërisht se ishin boshnjakë”.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.