Kosnett: Pas Banjskës, BE dhe SHBA duhet ta rimendojnë Asociacionin

Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka folur për situatën aktuale në vend dhe sulmin terrorist në Banjskë.

Duke shpjeguar atë që kishte ndodhur, Kosnett thotë se pretendimi i terroristit Milan Radoiçiq se kishte organizuar sulmin i vetëm është i pabesueshëm.

“Përgjigjja e Serbisë ishte klasike e Vuçiqit – duke luajtur me ndjenjat nacionaliste, ai shpalli një ditë zie për luftëtarët e martirizuar serbë, së bashku me përpjekjet për ta portretizuar veten para shteteve të Perëndim si një person me ndikim të moderuar, duke premtuar një hetim. Ndërkohë politikani serb i Kosovës dhe gangsteri i supozuar, Milan Radoiçiç, – i fotografuar në skenë gjatë përleshjes në manastir – u shfaq në Beograd për të marrë përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte grumbulluar armë dhe kishte formuar një grup të armatosur, pa mbështetjen apo dijeninë e Beogradit. (Nëse dikush e beson këtë, ju lutemi, ecni përpara!)”.

Kosnett tha se çështja themelore është se as Serbia dhe as Kosova nuk ndjejnë ndonjë urgjencë për të zbatuar një marrëveshje, derisa shtoi se pas sulmit në Banjskë, BE dhe SHBA duhet ta rimendojnë se si do të duket Asociacioni.

“Janë tri ide që mund të rrisin fleksibilitetin te pala kosovare: Së pari, pas Banjskës, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rimendojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në të kaluarën, diplomatët perëndimorë (përfshirë edhe mua) kanë deklaruar se vetëqeverisja e kufizuar për komunat serbe mund ta zvogëlojë me kohë mosbesimin ndërmjet serbëve të Kosovës dhe fqinjëve të tyre me shumicë shqiptare. Kosovarët kanë frikë se Asociacioni mund të përbëjë një kërcënim të brendshëm të sigurisë dhe të parashikojë ndarje de facto të Kosovës. Shumë e krahasojnë Asociacionin me Republikën Srpska ultranacionaliste të Bosnjës, duke i parë të dyja si të dobishme për përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të destabilizuar Ballkanin. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja duan të shesin në Kosovë ndonjë version të Asociacionit, atyre do t’u duhet të kenë një argument bindës se ai nuk do të kërcënojë sigurinë e Kosovës”, tha Kosnett për Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane.

Qendra për Analizë të Politikave Evropiane: Në vazhdën e përleshjeve të rënda ndërmjet Policisë së Kosovës dhe serbëve të armatosur të Kosovës më 24 shtator, të ndjekura nga lëvizjet e trupave serbe dhe të NATO-s, dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja, ka ngecur. A është tash kohë për të riinvestuar apo kohë për të rimenduar?

Philip Kosnett, ish-ambasador i SHBA-së në Kosovë: Tetë muaj më parë, përpjekja e ndërmjetësuar nga BE dhe e mbështetur nga SHBA për të negociuar një paqe gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dukej se po përparonte. Në shkurt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, miratuan një marrëveshje që kërkonte, ndër të tjera, vetëqeverisje të kufizuar për serbët e Kosovës përmes një Asociacioni të Komunave Serbe (për herë të parë u pajtua në parim në 2013); dhe njohjen reciproke të simboleve kombëtare, dokumenteve dhe integritetit territorial – atë që Kurti e quajti njohje “de facto” serbe të Kosovës. Askush nuk priste që zbatimi të ishte i lehtë. Vuçiq fluturoi në shtëpi dhe menjëherë hodhi poshtë marrëveshjen para audiencës së tij lokale; Kurti (si shumica e komunitetit shumicë shqiptare të Kosovës) ishte thellësisht skeptik ndaj Asociacionit. Por bisedimet vijuese për zbatimin e marrëveshjes u bënë dhe dukej sikur treni ishte në shina, por nuk u desh shumë kohë për të dalë nga binarët. Në prill, serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet për kryetar komunash në katër komunat me shumicë serbe në një përpjekje për të rritur presionin perëndimor mbi Kosovën për të zbatuar Asociacionin, duke rezultuar me zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë etnikë. Në maj, Kurti vendosi policinë në veri, me gjithë kundërshtimet e Perëndimit për të vendosur kryetarët e rinj në zyrat e tyre. Demonstruesit serbë plagosën dhjetëra paqeruajtës të KFOR-it e të NATO-s. Më pas, të dielën më 24 shtator, rreth 30 serbë të armatosur rëndë sulmuan Policinë e Kosovës pranë qytetit verior të Banjskës, duke vrarë një policë përpara se të tërhiqeshin në një manastir ortodoks serb. Në një betejë njëditore, Policia e Kosovës vrau katër dhe arrestoi disa serbë të armatosur (të tjerët u arratisën) dhe kapën një depo armësh të sekretuara në manastir, si dhe automjete që ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pretendoi se ishin të ushtrisë serbe. Kosova kërkoi ekstradimin e personave të armatosur që kishin ikur në Serbi.

Shtetet e Bashkuara fillimisht u përgjigjën me një gjuhë më të përmbajtur, duke mbrojtur Policinë e Kosovës, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve që të “përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet” dhe të rifillojnë negociatat.

Përgjigja e Serbisë ishte klasike e Vuçiqit – duke luajtur me ndjenjat nacionaliste, ai shpalli një ditë zie për luftëtarët e martirizuar serbë, së bashku me përpjekjet për ta portretizuar veten para shteteve të Perëndim si një person me ndikim të moderuar, duke premtuar një hetim. Ndërkohë politikani serb i Kosovës dhe gangsteri i supozuar, Milan Radoiçiç, – i fotografuar në skenë gjatë përleshjes në manastir – u shfaq në Beograd për të marrë përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte grumbulluar armë dhe kishte formuar një grup të armatosur, pa mbështetjen apo dijeninë e Beogradit. (Nëse dikush e beson këtë, ju lutemi, ecni përpara!)

Vuçiq më pas filloi dislokimin e njësive ushtarake në kufirin e Kosovës. Me këtë, Uashingtonit dhe aleatëve të tij më në fund duket se i ka mbaruar durimi me Beogradin. Më 29 shtator, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John, e quajti vendosjen e ushtrisë serbe “shumë destabilizuese” ndërsa NATO vendosi një batalion britanik për të përforcuar KFOR-in, dhe më vonë një batalion rumun. Në të njëjtën kohë, BE-ja dhe SHBA-ja vazhdojnë të bëjnë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshje të dala nga dialogu.