Kosova ka vetëm tre mikrobiologë të trajnuar për testet Covid-19

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Kosova ka mungesa të mëdha në resurset humane në mjekësi, duke theksuar se ka vetëm tre mikrobiologë të trajnuar për të bërë testet për Covid-19.

“Numri i vogël edhe epidemiologëve dhe infektologëve dhe në tri vitet e fundit s’ka pasur asnjë specializim, që në këtë rast janë shtylla kryesore nuk kanë qenë shumë joshëse dhe nuk ka pasur iniciativë për t’u marrë me të. Por, kjo do të na vetëdijësojë. Të gjitha këto teste bëhet nga një grup i ekspertëve në IKSHPK dhe kjo bëhet në bazë të të infektuarve dhe deri më tani s’ka mbetur asnjë pa u testuar”, ka thënë Vitia.

Ai thotë se kapaciteti maksimal është që mund të bëhen deri në 700 teste.

“600-700 teste është kapaciteti maksimal që mund të bëhen testimet. Ndërkohë kanë filluar të marrin edhe ekipe shtesë, sepse janë vetëm tre mikrobiologë që janë të trajnuar për të bërë këto teste në kohë reale. Në kushte normale për të kryer këto trajnime janë 6-12 muaj. Fatkeqësisht duhet ta pranojmë se resurset humane janë këto që janë, dhe shpresoj se kjo do të jetë thirrje alarmi që të zhvillojmë resurset humane në këto sektorë. Testimi për një person kushton diku rreth 25 euro, bashkë me materialin”, ka thënë Vitia.

Ai ka treguar se pse kanë pranuar 1 mijë teste nga Serbia.

“Të mërkurën kam pasur një videokonferencë me homologun nga Serbia, që është organizuar nga ambasada amerikane dhe KFOR-i. E kam pas biseda edhe me atë nga Shqipëria edhe me atë të Maqedonisë Veriore. Ndër të tjera i kam shpreh gatishmërinë që ne do të punojmë që secilin qytetar ta testojmë pa marr parasysh se çfarë etnie ka. Interesimi i tyre ka qenë nëse mund të na ndihmojnë dhe një ofrim i një ndihme të tillë e kam marr si shenjë të mirë që të testohet të gjithë qytetarët dhe ato s’do të jenë vetëm për testimin e qytetarëve serbë. Këtu ndihmesë ka dhënë edhe ministri Jevtiq, i cili ka dhënë ndihmën e tij. Ne kemi quar edhe materiale ndihmëse edhe të tjera në komunat serbe”, ka thënë ai.

Ai thotë se në paketimin e ardhur nga Serbia nuk shkruan asgjë tjetër pos se çfarë përmban paketimi.

“Është një paketim ku shkruhet se çfarë përmbahet brenda dhe nuk shkruan asgjë tjetër. Mirëpo ky është një donacion i bërë nga Republika e Serbisë që i është bërë Republikës së Kosovës. Është vetëm një kuti me përmbajtjen se çfarë ka brenda. Testet janë ardhë në Jarinje dhe më pas janë sjellë në IKSHPK. Ne jemi në një situatë pandemie dhe unë jam ministër i Shëndetësisë dhe në këtë situatë problemet që janë në rajon janë të përbashkëta. Nuk mund të ketë shkëputje. Mbi të gjitha për ne është e rëndësishme jeta dhe ruajtja e jetës së qytetarëve dhe çdo gjë që është në këtë funksion natyrisht se e kemi obligim këtë”, ka thënë Vitia.

Ai ka shtuar ato janë shumë të sigurta.

“Laboratori i Mikrobiologjisë i ka të gjitha masat e sigurisë dhe aty ju garantoj se asnjë gjë e dyshimtë nuk mund të futet, të gjitha testet janë mirë të kontrolluara edhe ato që vijnë nga vendet e tjera”, u shpreh Vitia.