KQZ jep detaje për procesin e numërimit të votave (video)

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një intervistë për Klan Kosovën ka dhënë më shumë detaje se si ka shkuar procesi i numërimit të votave deri tani, ndërsa ka treguar edhe për procedurat që janë duke vazhduar aktualisht.

“Numërimi i fletëvotimeve ka mbaruar ditën e diel në mbrëmje, pra aktualisht nuk është duke u zhvilluar ndonjë numërim”.

“Ajo çfarë po bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, që ka filluar të dielën pas mesnate, ka qenë pranimi i gjithë materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës. Pranimi i këtij materiali ka përfunduar dhe po vazhdohet me procedurat e tjera ne QNR në mënyrë që brenda disa ditësh të fillojmë me numërimin e votave me postë, me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”.

“Në bazë të të dhënave nga Shërbimi Votues, gjatë periudhës së votimit përmes postës, nga ky shërbim janë pranuar rreth 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime. Aktualisht Shërbimi Votues është duke e bërë shqyrtimin dhe verifikimin e të gjitha këtyre pakove për të ditur saktë se sa është numri i fletëvotimeve në këto pako dhe se sa janë prej tyre të aprovuara dhe sa refuzohen”.

Elezi në këtë intervistë ka treguar se kur pritet të numërohen edhe votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe ato nga diaspora.

Ndiqeni intervistën në videon e mëposhtme: