Krasniqi prokurorit: Mos flisni në emër të qytetarëve të Kosovës

Jakup Krasniqi i ka reaguar kryeprokurorit Special, Jack Smith për një deklaratë ku ky i fundit thotë se flet në emër të qytetarëve të Kosovës.

Krasniqi në seancën e sotme tha se në emër të popullit të Kosovës flasin vetëm ata që janë duke u akuzuar për luftën çlirimtare, shkruan lajmi.net.

“Reagim në emër të prokurorit zotit Smith kur foli në emër të qytetrëve të Kosovës. Në emër të tij mund të flasim ne përfaqësuesit të tij. Unë 25 vjet të jetës sime i kam të angazhuara për çlirimin e popullit tim nga robëria. Unë kam qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës që regjimi kriminel i Serbisë nuk ka lejuar të konstituohet. Pas luftës çlirimitare kam qenë në të gjitha legjislaturat deri në vitin 2014 përfaqësues”, tha Krasniqi.

Krasniqi vazhdoi tutje duke thënë se nëse Smith duhet të flasë në emër të dikujt, janë vetëm krimet e pretenduara dhe krimi dhe gjenocidi i Serbisë që nga viti 1876.

“Nëse ai duhet të flet në emër të dikujt, ose duhet të flet në emër të krimeve të pretenduara, ai le të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit  që Serbia ka përdorur nga viti 1876. Në emër të kombit tim, luftës dhe sakrificave të mëdha flasim ne përfaqësuesit e tij, dhe jo ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumëvjeçare të kombit tim për liri, për drejtësi, barazi dhe shtetndërtim”, tha Krasniqi.