Kryediplomati grek s’kishte vizitë të planifikuar, erdhi të sjellë mesazhe nga Beogradi

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, përkundër që kjo vizitë e tij nuk ishte e planifikuar më herët.

Demokracia.com ka mësuar nga burime brenda kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Dendias nuk e kishte të planifikuar më herët vizitën e sotme në shtetin e Kosovës, porse ai erdhi që të përcjellë mesazhe.

Dendias dje ka qëndruar për vizitë në Beograd, ku është takuar me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Pas takimit me Daçiq, Dendias tha se vendi i tij mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative.

Ai bëri thirrje që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen plotësisht.

Dendias tha se po udhëton për në Prishtinë dhe atje do të përsërisë atë që tha në Beograd dhe theksoi se Greqia vazhdon të mbështesë rrugën evropiane të Serbisë.

Ndërsa, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka pritur në një mënyrë krejt ndryshe Dendiasin, duke e ftuar për vizitë në shtëpinë e prindërve të tij, së bashku me Ivica Daçiqin, raporton Demokracia.com.

Të njëjtat mesazhe, Dendias i përcolli edhe në Prishtinë, duke thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë.

“Në analizat tona të fundit, BE-ja është destinacioni përfundimtar për gjithë Ballkanin Perëndimor. Duhet të bisedojmë për bashkëpunimin në aspektin energjetik. Greqia është e gatshme ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor. Ne e mbështesim plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet ligjërisht të obligueshme. Është e rëndësishme që nga të dyja palët të zbatohet ajo që është arritur”, ka thënë ai.