Kryeministri Haradinaj: Presidentin e duam por taksën nuk e heqim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se është i painformuar rreth deklaratës së presidentit Hahsim Thaçi, i cili ka thënë se Kosova është e gatshme ta shqyrtoj heqjen e masës 100 për qind ndaj mallrave serbe.
“Nuk e kam lexuar atë deklaratë të presidentit”, tha Haradinaj.
I pyetur po ashtu rreth deklaratës së presidentit Thaçi, i cili ka thënë se ideja për taksën ishte e Enver Hoxhajt dhe e Kadri Veselit, Haradinaj është përgjigjur shkurt se “ne e duam presidentin, është i joni”, raporton KTV.
Por, Haradinaj thotë se nuk do të zmbrapset nga vendimi për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, pa e njohur Serbia Kosovën.
“Taksa është vendim i Qeverisë dhe është vendim legjitim, për të cilin janë informuar të gjitha Qeveritë e vendeve tjera. Nëse na njeh Serbia, sot e heqim”, ka thënë ai.
Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë një konference për media pas vizitës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.