Kryeministri i Irlandës sot pritet nga krerët e shtetit në Kosovë

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadka, i cili mbrëmë ka arritur në Kosovë së bashku me një delegacion shoqërues irlandez, sot do vazhdojë takimet në Kosovë.

Ai nga ora 9.30, do të ketë pritje me ceremoni shtetërore në sheshin “Skënderbeu, nga ora 09.35, mbahet takimi ndërmjet dy delegacioneve, kurse nga ora 10.30 do të mbahet konferenca e përbashkët e kryeministrit Kurti dhe kryeministrit të Irlandës, Varadkar.

Ndërkaq në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të presë në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

Për vizitën zyrtare të kryeministrit të rlandës, Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues irlandez, Policia e Kosovës, njofton se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror irlandez në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurta kohore”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, ndërprerje të qarkullimit mund të ketë, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

“Policia do ta riorientojë trafikun në rrugë alternative, andaj kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se javën e kaluar në Kosovë qëndroi edhe, Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron.