“Kujdes ku shkel”/ DASH i kthehet keq Vuçiqit: Sulmoi analistin e njohur amerikan!

Departamenti amerikan i shtetit reagoi ashpër ndaj sulmit të presidentit Aleksandar Vuçiq kundër njërit prej njohësve më të mirë të politikave të Ballkanit, analistit dhe profesorit Edward Joseph, shkruan Fokusi.info.

Nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktikat e njollosjes kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Joseph, është mesazhi i postuar në faqen e Twitterit të DASH-it.

Zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën, nënvizohej aty.

“Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në mesazhin e shoqëruar me një fotografi të Josephit së bashku me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.

Gjatë një paraqitjeje në televizionin Prva, Vuçiqi e quajti Josephin, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, “një agjent shqiptar”, më tej, ai e etiketoi edhe më fjalë ofenduese dhe deklaroi se eksperti i Ballkanit, merr “shumë para nga lobi shqiptar”.

Zemërimin e tij e kishin ngjallur pohimet e Edwards për REL lidhur me barrikadat e ngritura në veri të Kosovës për gati tre javë, se Vuçiqi “po manipulonte Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimin Europian”, dhe se qetësia e vendosur pas heqjes së tyre do të zgjasë vetëm deri kur “presidenti serb të vendosë se i duhet një krizë e re në Kosovë”.

Pas akuzave të Vuçiqit, Joseph shkroi në Twitter se ato janë “krejtësisht të rreme” sa i përket lidhjeve të pretenduara financiare mes tij dhe “lobit shqiptar”.

“ Vuçiq nuk ka dëshmi për t’i mbështetur këto akuza serioze sepse lidhje të tilla nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë. Qëndrimet e mia janë produkt i dhjetëra viteve në terren – në të gjitha konfliktet në Ballkan, përfshirë edhe vitet e luftës”, ka shkruar ai.