Kurti e Osmani degradojnë sovranitetin e Kosovës | OSBE-ja me rol të madh në zgjedhjet e reja në veri

Ministri i jashtëm maqedonas, Bujar Osmani, i cili është kryesuesi i radhës i OSBE-së, ka publikuar sot një propozim-plan prej nëntë pikash për de-eskalimin dhe normalizimin e situatës në veri të Kosovës.

Mes propozimeve kërkohet që kryetarët e komunave në veri të Kosovës të japin dorëheqjen gjatë verës së vitit 2023 dhe të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme vendore këtë vit. Në të njëjtën kohë, kërkohet që Kosova të tërheqë Policinë, ndërsa Serbia të reduktojë gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura.

Sipas propozimit, OSBE-ja merr rol të madh në procesin zgjedhor, duke u bërë pjesë e organizimit të tyre.

Një propozim i tillë shihet si kthim prapa i Kosovës, pasi që është KQZ-ja që më shumë se një dekadë i organizon zgjedhjet dhe atë në mënyrë shembullore, shkruan Demokracia.com.

Pranimi i mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti vije pas dështimit dhe mos-koordinimit të aksionit në veri për dërgimin e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

Yryshi populist i Kurtit në veri u kritikua nga i gjithë faktori ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Pasi që i hasi shara në gozhdë dhe për të dalë nga ky kaos ku e futi vendin, Kurti përmes satelitit të tij, presidentes Osmani, është në rrugë e sipër për të gjetur sa më shpejt zgjidhje dhe kjo zgjidhje është mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme siç po kërkon SHBA-ja dhe BE-ja.

Ka qenë Osmani e cila në një far formë i ka paraprijë kësaj ideje pas takimit me presidentin serb në Moldavi, ku të pranishëm ishin edhe presidenti francez, Macron, kancelari gjerman, Scholz dhe shefi i diplomacisë evropiane, Borrell. Më pas Kurti e ka “rreh” këtë ide deri në një vendim, që sipas tij do të merret pasi që Serbia t’i largojë kriminelët nga veriu dhe forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën.