Kurti i thërret në takim liderët e opozitës, Krasniqi e Haradinaj i përgjigjen pozitivisht

Kryeministri Albin Kurti pas zhillimeve në pjesën veriore të Kosovës, sonte u ka bërë ftesë krerëve të tri partive opozitare parlamentare, PDK, LDK, AAK për takim nesër paradite.

Burime nga Zyra e Kryeministrit bëjnë të ditur se Albin Kurti u ka dërguar ftesë liderit të PDK-së Memli Krasniqi, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së Ramush Haradinaj për takim të martën.

Po ashtu, burime brenda PDK-së kanë konfirmuar për Demokracia.com se kreu i PDK-së Memli Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht takimit me Kurtin.

Ndërkaq, pjesëmarrjen e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj e ka konfirmuar Lulëzim Blaka, nga zyra për informim e kësaj partie..

“Në adresë të kryetarit Haradinaj ka ardhur një ftesë për takim nga Kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes. Tema e diskutimit është diskutimi për zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit. Kryetari Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, ka thënë Blaka.