“Kurti kënaqet duke parë sondazhet dhe rritjen e poenave politike”, thotë Rama

“Kurti sheh sondazhe dhe kënaqet duke parë rritjen e poenave politike”, tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media ku foli për ngjarjet e tensionuara në vend, e ku për shtensionim në rend të parë i kërkoi Serbisë lirimin e menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe “pa nëse” të tre policëve kufitarë kosovarë të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës të mërkuren e kaluar.

“Për mua është shumë e qartë ajo që ka ndodhur. Albini nuk e ka dashur konfrontimin dhe ballafaqimin e drejtpërdrejtë për këtë temë. Sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenat. Por mendoj që Shqipëria s’është notere dhe s’mund të jetë noterë e çdo politike që ndjek Kosova, aq më tepër nëse Shqipëria trajtohet si vëllai i madh, gjë që s’e kam thënë kurrë. Detyrimi ynë është që themi të vërtetën në sy. Shqipëria është shtet në vete, dhe interesat tona janë shumë të qarta”, ka thënë Rama.