Kushtetuesja nuk e mohon që do t’i japë 10 ditë shtesë Albin Kurtit për mandatarin

Periskopi para disa ditëve kishte raportuar se gjasat janë të mëdha që Gjykata Kushtetuese të dalë me një gjysëm-vendim mbi krizën qeveritare në Kosovë para datës 29 maj.

Në bazë të kësaj, Kushtetuesja do t’ia ofrojë Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes një ultimatum kohor prej 10 ditësh (apo dy javësh) që të dalë me propozim të ri për mandatar/kryeministër dhe me një partner të ri të koalicionit nga partitë parlamentare.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Periskopin nuk e ka mohuar që kryeministri në detyrë, Albin Kurti mund ta ketë edhe një mundësi të dytë për formimin e qeverisë së re.

Nga GJK kanë thënë se kjo lëndë është duke u shqyrtuar me prioritet dhe do të merret vendim meritor.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar me prioritet. Vendimi meritor përkitazi me kërkesën në tërësi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve të interesit në këtë rast.”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese për Periskopin.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese me 1 maj mori vendim që të pezullojë dekretin e presidentit Hashim Thaçi pas ankesës së parashtruar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe të gjitha partitë politike janë shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve përveç Lëvizjes Vetëvendosje, ku sipas tyre zgjedhjet janë forma e duhur për krijimin e qeverisë së re.