Ky është plani “B” i LDK-së nëse nuk arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka treguar planin “B”, nëse nuk arrihet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Msutafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka deklaruar edhe për planet që janë diskutuar nëse nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa ka bërë të ditur se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje më Vetëvendosjen, atëherë partia e tij, do të kalojë në opozitë.

“Edhe Vetëvendosje na ka pyetur se a keni plan B dhe ne i kemi thënë që plani B është që të shkojmë në opozitë. Dhe ne nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje me partitë e tjera nëse nuk arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen. Plani tjetër është i fundit që ne themi se nuk u morëm vesh dhe do të shkojmë në opozitë. Ne kemi hapësirë që të mos vije te ajo sepse kemi hapësirë që të pajtohemi dhe ta bëjmë sa më herët qeverinë”, deklaroi Mustafa, raporton lajmi.net.

I pyetur nëse Vetëvendosje duhet të lëshoj pe për postin e presidentit, ai ka thënë se përgjegjësia kryesore për formimin e institucioneve i takon Vetëvendosjes, e cila është edhe parti fituese.

“Unë nuk shoh asnjë arsye që ta bindi dikë që të lëshoj pe. Unë kërkoj që të jemi koshient për përgjegjësitë që kemi para qytetarëve dhe besimin që kemi marrë nga votuesit. Ne po e pranojmë që ata ta kenë të drejtën e nominimit për kryeministrin dhe ne t’ua votojmë atë. Ne s’po dalim që ta qesim në peshore se sa peshon posti i kryeministrit, por po kërkojmë një partneritet i cili po i bën mirë qeverisjes së këtij vendi. Nuk jemi duke kërkuar që njëra palë të lëshoj pe, por përgjegjësia kryesore për themelimin e Qeverisë dhe institucioneve i takon partisë së parë, pra partisë fituese dhe asaj i takon që të gjej një zgjidhje dhe të formojë institucionet”, ka deklaruar Mustafa.