Latifi: Deklaratat e Osmanit dhe Kurtit për Ukrainën janë shqetësuese

Profesori Blerim Latifi thotë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duhet të ndalen së moralizuari për situatën në Ukrainë.

Latifi tha se deklaratat e krerëve të institucioneve janë shqetësuese.

“Autoritetet në Kosovë, presidenca, qeveria nuk duhet të vazhdojnë të jenë vëzhgues të thjeshtë. Për mua, deklarimet e kryeministrit në konferencë për shtyp janë shqetësuese”, thotë Latifi.

“Është momenti që të theksojmë një fakt. Presidenca edhe qeveria, përkatësisht kryeministrit duhet të pushojnë së marruri tepër me Ukrainën. Po flasin shumë për Ukrainën. Po moralizojnë shumë për Ukrainën. Po të varej ai konflikt nga ne ish kuptu, por më shumë po merren me Ukrainën sesa me situatën, me gjendjen në të cilën ndodhemi ne dhe me mundësitë që ne të përfitojmë diçka nga ky kontekst”, tha Latifi në Pressing në T7.

“Shkruajnë kolumne, shkruajnë statuse. Presidenca vazhdimisht i tregon Amerikës se cila është Rusia, cilat janë synimet e Rusisë. Për mendimin tim ky është një diskurs shqetësues”, shpjegoi Latifi.