LDK-ja do të kërkojë komision hetimor për “keqpërdorimet me rezervat shtetërore”

Arben Gashi shef i grupit parlamenetar të LDK-së tha se kjo do të bëhet me qëllim që të dihet se si është menaxhuar dhe nga kush rezerva shtetërore. Sipas tij, e vërteta është zgjidhja e duhur në këtë rast.

Sipas tij, për rezervën shtetërore dhe keqpërdorimet e mundshme duhet hetime serioze. Gashi tha se duhet që të ketë edhe hetime penale nga Prokuroria e Shtetit.

“Po jetojmë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën, dështimi po e mbulon dështimin dhe shkelja kushtetuese po e mbulon atë paraprake, dhe kur shkelja e ligjit po e mbulon shkeljen paraprake dhe çdo gjë përcillet me afera. Qytetarët kanë nevojë që të dinë të vërtetat. E vërteta është zgjidhja e duhur dhe pikënisja për gjithçka”, tha Gashi.

“Keqpërdorimet dhe abuzimet me rezervat shtetërore, pikërisht me produktet esenciale kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore, prandaj në emër të GP të LDK-së, në mbledhjen e parë të sesionit të vjeshtës do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore”, tha më tutje ai.

“Përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit, ne mendojmë që duhet të ketë edhe hetim parlamentar për të parë nga afër sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për rezervat shtratore”, tha ndër të tjera ai.