LDK ka angazhuar ekip ekspertësh për të identifikuar masat për rimëkëmbjen ekonomike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se tashmë në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat që ka shkaktuar koronavirus.

I pari i LDK-së tha se për të dhe partinë e tij, ballafaqimi me pasojat COVID-19 do të jetë mbi te gjitha prioritetet.

“Në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e këtij virusi; për konsolidimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor dhe atij të arsimit”, ka thënë ai.

Mustafa tha se do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi.

“Prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera”, ka shkruar në rrjetin social mes tjerash Mustafa.