LDK sot ka festë, nuk ka takim me VV

Kanë mbetur edhe pak ditë nga seanca konstituive e cila do të mbahet më 26 dhjetor, ndërsa dy partitë e para nga zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

LDK po insiston që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe garantimi i postit të Presidentit për këtë parti, ndërsa VV ngul këmbë që posti i Presidentit nuk duhet të diskutohet në këtë fazë, shkruan GazetaBlic.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, në një prononcim për GazetaBlic tha se sot LDK-ja feston 30-vjetorin e themelimit të partisë dhe se sot kjo parti ka festë.

Veliu tha se nuk kanë paraparë ndonjë takim të mundshëm me VV-në, pasi që LDK-ja ka të tjera angazhime që lidhen me përvjetorin e themelimit.

“Sot e kemi 30-vjetorin e themelimit të LDK-së dhe kemi aktivitete që lidhen me këtë datë, ndërsa njëherë për njëherë nuk kemi asgjë në lidhje me takimin”, tha Veliu.

I pyetur se a kanë diskutuar për ndonjë takim gjatë ditëve në vijim, Veliu tha se kaq mund të flas për sot.

“Nuk kam asgjë të re, kaq mund të ju them për sot”, tha shkurt Veliu.