Liberalizimi i vizave për Kosovën, vjen lajmi i fundit nga trupi i ambasadorëve të BE-së

Sanksionit të BE-së ndaj Kosovës që u vendos ditë më parë pritet t’i vijë fundi. Javën e ardhshme propozimi për liberalizimin e vizave do të jetë në tryezën e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Shtyrja e të cilit u bë për shkak të çështjes politike në mes Kosovës dhe Serbisë për targat dhe situatës në Veri. Kështu ka konfirmuar për media , Eva Hrncirov, zëdhënësja e trupit të ambasadorëve të BE-së (Coreper).

Më 22 nëntor përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës, njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Vetëm një ditë pas, propozimi për liberalizimin e vizave, i cili parasheh lëvizjen e lirë të kosovarëve, u hoq nga agjenda e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Shkak u bë situata në Veri të Kosovës.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.

Situata në veri të Kosovës u tensionua, për shkak të vendimit të kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.

Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës nisi qortimin e qytetarëve serb që nuk i kanë konvertuar targat në RKS, ndërsa nga 21 nëntori synonte të niste gjobitjen me nga 150 euro.

Mirëpo, presioni ndërkombëtare bëri që një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet me 23 nëntor, dhe Veriu t’i kthehet normalitetit./Fokusi.info/