Limaj: Kurti pranoi marrëveshjen që në qendër ka Asociacionin pa njohje të Serbisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se tashmë është zyrtare, që kryeministri Albin Kurti e ka pranuar marrëveshjen “që në qendër të saj ka Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa njohje formale të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë”.

Sipas tij, “plani 11 pikësh për të cilin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruaj menjëherë, e bën të qartë që Kosova do të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut”.

Ai thotë se përveç kësaj, bazuar në pikën 7-të të marrëveshjes, “kuptojmë që kryeministri Kurti ka pranuar që përveç themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të krijojë edhe një mekanizëm shtesë, për siç thuhet. “për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë””.

“Për fund, marrëveshja shënon një kthim domethënës mbrapa për të cilën kryeministri Kurti do të mbahet përgjegjës”, thuhet në një deklaratë të Limajt.