Lista e zonave të gjelbra, Rama publikon rregullat e lëvizjes

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se cilat janë zonat e gjelbra kur nga e hëna do të ketë një lehtësim të lëvizjeve.

Bëhet fjalë për qarqet Dibër dhe Gjirokastër, zonat e përbashkëta të bashkive Podradec, Prrenjas, Librazhd; zonat e përbashkëta të bashkive Saranda, Himarë, Konispol dhe Finiq si dhe Bashkia Divjakë.

Në këto zona makinat do të lëvizin pa autorizim nga ora 9:30 deri në orën 17:30. Pensionistët mund të lëvizin lirshëm deri në orën 08:30 të mëngjesit në këto zona.

“Në zonat e gjelbërta automjetet private do të lëvizin pa autorizim nga ora 09.30 deri në orën 17.30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët.

Pensionistët do të lëvizin lirisht në këmbë, deri në orën 08.30 dhe deri në këtë orë asnjë këmbësor tjetër përveç atyre që kanë autorizim për punë, ndalohet të dalë nga shtëpia

Nga ora 9.30 deri në 17.30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia, por kujdes, ndalohet lëvizja në këmbë e më shumë se dy personave

Ndalohet rreptësisht qëndrimi në një vend i më shumë se dy personave dhe nuk lejohet frekuentimi i parqeve publike në 14 ditët e ardhshme”, njofton Rama.