Liverpool e do Januzajn për ta zëvendësuar Shaqirin

Liverpool po mendon lidhur me përforcimet për sezonin e ardhshëm. Në orët e fundit po qarkullojnë lajme se trajneri Jurgen Klopp e ka zgjedhur Adnan Januzajn për ta zëvendësuar bashkëkombësin e tij, Xherdan Shaqiri, i cili mund të largohet nga “Anfield Road” gjatë kësaj vere.

Liverpool u shpall kampion i Evropës në sezonin e fundit, por kjo nuk nënkupton se “Reds” nuk do të bëjnë lëvizje në ekip gjatë kësaj vere.

Sipas mediave britanike, klubi nga “Anfield Road” ia ka vënë syrin mesfushorit kosovar, Adnan Januzaj, i cili e ka rikthyer formën së fundmi duke luajtur për Real Sociedadin.

Sipas portalit rushthekop.com, trajneri Jurgen Klopp dëshiron ta përforcojë fazën ofanzive dhe e sheh përfaqësuesin belg si lojtarin ideal për ta zëvendësuar Xherdan Shaqirin, i cili mund të largohet gjatë verës.

Përfaqësuesi zviceran për momentin është i lënduar dhe duket se trajneri gjerman nuk e ka ndërmend të pres gjatë, prandaj po e kërkon bashkëkombësin e Shaqirit.

24 vjeçari kishte luajtur edhe në të kaluarën në Premierligë, në Manchester United dhe Sunderland. Një kohë ishte huazuar edhe në Borussia Dortmund./Fokusi.info/