Maliqi: Kurti nuk ka më kredibilitet për të vendosur kushtëzime në dialog, jemi në prag të sanksioneve nga SHBA dhe BE

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrel, në konferencën e mbajtur për media pas takimeve që ka patur me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq ka kërkuar lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia, një javë më parë në veri.

Se nuk mund të vazhdohet tutje pa lirimin e tre policëve, ka deklaruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Pa largimin e tre djemve shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! Por gjëja e parë në radhë të parë: LIRONI 3 POLICËT”, shkroi Rama në Twitter.

A duhet kushtëzohet vazhdimi i dialogut me lirimin e tre policëve, nga pala kosovare??

Publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, tha se kryeministrit Kurti nuk i ka mbetur më kredibilitet për të vendosur kushtëzime në dialog.

Maliqi theksoi se taktikat e tij për “zhagitjen” e dialogut përmes kushtëzimeve nuk kanë sjellë asnjë dobi.

Ai tha se tashmë jemi në prag të sanksioneve nga BE-ja dhe SHBA-të.

“Kryeministrit Albin Kurti nuk i kanë mbetur më kredibitet për kushtëzimin e dialogut. Edhe ashtu taktikat e tij për ‘zhagitjen’ e dialogut përmes kushtëzimeve nuk kanë sjell asnjë dobi por vetëm ndëshkime. Tash jemi në prag të sanksioneve nga BE-ja dhe SHBA-të.” deklaroi Maliqi.

Publicisti Maliqi shtoi se tashmë Kurti duhet të punojë për riparimin e raporteve me aleatët.

“Përndryshe, lirimi i 3 policëve të rrëmbyer është bërë kërkesë e faktorëve ndërkombëtarë, ata bëjnë presion në Beogradin për lirim pa kusht, kështu që tani më është bërë parakusht për deeskalim të situatës, Kryeministri Kurti, nëse i ka mbet edhe një ‘troh’ë racionaliteti pragmatik do të duhet të kujdeset për kthimin e besimit dhe riparimin e raporteve koordinuese me aleatët strategjik që i ka dëmtuar vetë në masën e madhe duke i përqeshur ose duke ua mbajtur derse strategjike politike e moralizuese liderëve të superfuqive botërore”, tha Maliqi për “Gazeta Blic”

Lirimi i tre policëve të kidnapuar, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe tërheqja e njësive speciale nga objektet komunale, ishin disa nga kërkesat e Borrel në takimin disa-orësh të mbajtur nga Borrel me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiq.