Maqedoni: Pacientja e parë me koronavirus lëshohet në shtëpi

Vazhdon të mbetet 18 numri i personave të prekur nga virusi Korona në Maqedoni.

Megjithatë, nëse këto shifra do të rriten, do të dihet gjatë mbrëmjes kur edhe do të publikohen rezultatet për 7 personat që momentalisht po testohen, shkruan alsat-m, transmeton Klan Kosova.

Tre prej tyre me simptoma të gripit, janë nga Dibra, dy janë paraqitur përmes Qendrës për Shëndet Publik në Shtip dhe dy të tjerë ndodhen në Klinikën për Sëmundje Infektive.

Ministri i Shëndetësisë, paralajmëroi rritje drastike të numrit të personave që do të testohen.

“Po bëjnë analiza plotësuese, kontrolle, indikacione eventuale për testime të reja të më shumë njerëzve, në përputhje me përvoja botërore. Madje teste do tu bëhen edhe personave për të cilët nuk jemi të sigurtë se kanë qenë në kontakt me të sëmurë apo me persona për të cilët dyshojmë se janë të infektuar. Do të rrisim numrin e personave që do të testohen. Presim që gjatë ditës së sotme apo të nesërmen të mbërrijnë 40, 50 deri në 80 persona, në mënyrë që detajisht të skenohet ky rajon- deklaroi Venko Filipçe- ministër i shëndetësisë.

Sa i përket informacioneve që qarkullojnë nëpër disa media për mënyra alternative testimi, që qytetarët mund të bëjnë në kushte shtëpiake, për të parë nëse janë apo jo të prekur nga virusi Korona, ministri Filipçe tha se ekzistojnë mundësi alternative, megjithatë besueshmëria e rezultateve është e diskutueshme.

“Nuk ekziston test i tillë. Shohim se janë gjithnjë e më shumë të pranishme nëpër tregje disa të ashtuquajtura teste të shpejta, serologjike që analizojnë antitrupat. Megjithatë, Ka të dhëna, analiza, studime, që tregojnë se të njëjtat nuk kanë nivel të lartë besueshmërie. Nuk ka nevojë që dikush të vet testohet, me mënyra më të shpejta alternative. Në rast nevojë qytetarët duhet të paraqiten dhe epidemiologu do t’u tregojë saktë nëse duhet ose jo të testohen- tha Venko Filipçe- ministër i shëndetësisë.

Pacientja e parë në vend e prekur nga virusi korona tashmë është lëshuar për mjekim shtëpiak, pasi testet e fundit kanë rezultuar negativ. Ndërsa, gjendja e personave të prekur nga virusi Korona është e qëndrueshme, përfshirë këtu edhe pacienten e cila është në frymëmarrje mekanike. Sa u takon shpenzimeve të shtetasve të huaj që preken nga virusi Korona, por që ndodhen në vendin tonë, ministri Filipçe tha se shpenzimet mjekësore të të njëjtëve do të mbulohen në kuadër të marrëveshjeve që Maqedonia ka me shtete për mbulim të sigurimit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë tha se presin përgjigje nga Ambasada e Kinës rreth furnizimit me 200 aparate për frymëmarrje. Masa shtesë do të diskutohen sot në seancën e Qeverisë që nis në orën 19, për epilogun e të cilës opinionin do ta informojë gjatë mbrëmjes ministri i shëndetësisë.