Martin Berishaj po i mbijeton me sukses skandalit, shihet me Gërvallën në Dubrovnik

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme po merr pjesë në Forumin e 15-të Ndërkombëtar të Dubrovnikut. Me të është parë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, emri i të cilit është përmendur në një skandal për shpërlarje të parave.

Ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Pjesëmarrjen e Gërvallës në Forumin e 15-të Ndërkombëtar e ka kumtuar Ambasada e Kosovës në Zagreb.

“Në Forumin e 15-të Ndërkombëtar të Dubrovnikut, Kosova u prezantua me ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës znj Donika Gërvalla, ku morën pjesë rreth 40 ministra dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, kryesisht nga vendet e Evropës Jugore, Juglindore dhe Qendrore, si dhe përfaqësues të disa institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe të sektorit të biznesit. Konferenca tradicionale ndërkombëtare e Forumit të Dubrovnikut me moton “A quest for balance in a world disrupted”. Forumin e sivjetëm të Dubrovnikut e hapi kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviq”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Gjatë këtij forumi Gërvalla ka qenë pjesë e panalit.

“Ministrja Gërvalla ishte pjesë e panelit kryesorë krahas ministrit kroat Gordan Grliq Radman, atij grek Nikos Dendias, malazez Ranko Krivokapiq, Zv ministri boshnjak Josip Brkiq, Miroslav Lajçak, etj.Në këtë panel fjala e ministres Gërvalla u prit me interes të madh, ku ajo shpaloi të arriturat e Qeverisë së Kosovës në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si dhe synimet e palëkundura të diplomacisë së Kosovës Dëshmi kjo që ngjalli interes për takime të shumta bilaterale me homolog të saj”, thuhet tutje në postimin e ambasadës. /Express