Masat ndëshkuese të BE-së, Kurti: Janë të padrejta, por shpresojmë që do jenë të shkurtra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përurimit të një parku në fshatin Davidovc të Komunës së Shtimes, si të padrejta i ka cilësuar “masat ndëshkuese” të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për shkak të mos-dëgjueshmërisë së tij për de-përshkallëzimin e situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Këto nuk janë sanksione, por janë masa të përkohshme dhe të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë demokratike, pro-evropiane dhe progresiste. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë”, ka thënë kryeministri.

Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit dhe as me kushtetutshmërinë e vendit, andaj do të vazhdojë me zbatimin e programit të saj qeveritar, teksa ka shprehur shpresën se “masat e përkohshme” do të jenë të shkurtra.

“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë, andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.

“Shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra, ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka shtuar ndër të tjera kryeministri i vendit.