Mbrojtësit e Pjetër Shalës thonë se aktakuza ka pesë defekte, kërkojnë ndryshimin e saj apo hudhjen e pretendimeve të paqarta

Mbrojtja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, ka parashtruar mocionin paraprak, me anë të së cilit ka sfiduar formën e aktakuzës të parashtruar nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Sipas avokatëve të Shalës, Jean-Louis Gilissen dhe Hedi Aouini, në aktakuzë janë pesë defekte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Që kanë të bëjnë me: (i) akuzimin kumulativ të prokurorisë për krimet dhe mënyrat e përgjegjësisë; (ii) deklarimi i gabuar i krimeve të luftës; (iii) paraqitja e gabuar e mënyrave të përgjegjësisë; (iv) përdorimi i gjuhës së paqartë dhe jo shteruese nga ana e prokurorisë; dhe (v) dështimi për të dhënë të dhëna të mjaftueshme sa i përket fakteve materiale dhe elementeve të krimeve me të cilat akuzohet i akuzuari”, thuhet në mocion të mbrojtjes.

Mbrojtja ka pretenduar se duke pasur parasysh natyrën dhe shtrirjen e defekteve dhe efektet e tyre të dëmshme në të drejtat e të akuzuarit për një gjykim të drejtë, ZPS duhet të urdhërohet të ndryshojë aktakuzën dhe të japë detaje të plota dhe specifike mbi çështjet e identifikuara.

“Në rast se ZPS nuk është në gjendje të ndryshojë Aktakuzën, Mbrojtja parashtron se pretendimet e paqarta në Aktakuzë duhet të hidhen poshtë”, thuhet në mocion.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.