Mbrojtja e Gucatit i kundërpërgjigjet ZPS-së

Mbrojtja e Hysni Gucatit i është kundërpërgjigjur kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), që kishte kërkuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga Charles L Smith II, që të urdhërojë mbrojtjen e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt që të zbulojnë çdo provë të mëtejshme që ata kërkojnë të shqyrtohen për dënim.

Ata kishin kërkuar që mbrojtësit të urdhërohen që këtë ta bëjnë deri në orën 16:00 të së premtes të 11 marsit 2022.

Në parashtresën e mbrojtjes së Gucatit, thuhet se kërkesa e ZPS-së duhet të refuzohet dhe se mbrojtja respektoi udhëzimet e mëparshme të trupit gjykues në lidhje me dosjen përfundimtare gjyqësore, siç përcaktohet në paragrafin 4 të Urdhrit.

Sipas tyre, këto udhëzime nuk përfshinin një kërkesë për të zbuluar ndonjë provë shtesë që palët mund të dëshirojnë të kërkojnë për qëllime të dënimit.

“Për arsyet e përcaktuara në paragrafët 161, 162 dhe 166-172 të dosjes përfundimtare gjyqësore, mbrojtja parashtron se trupi gjykues, në rrethanat e këtij rasti, duhet të vazhdojë në përputhje me Rregullat 162 dhe 164 nëse paneli e gjen të akuzuarin fajtor për një ose më shumë krime”, thuhet në këtë parashtresë.

Tutje, mbrojtja thotë se rregulli 162(1) parasheh dorëzimin e informatave relevante për të ndihmuar panelin në përcaktimin e dënimit pas aktgjykimit, dhe Rregulli 162(5) parasheh dëgjimin e provave shtesë.

Mbrojtja pretendon se nuk ka asnjë kërkesë në rregulla për zbulimin e një materiali të tillë para aktgjykimit.

“Mbrojtja pohon se trupi gjykues duhet të vazhdojë në rast të konstatimit të fajësisë në përputhje me Rregullat 162 dhe 164”, thotë mbrojtja e Gucatit.

Ndërkaq, në fund thuhet se nëse, përkundër parashtrimeve të mësipërme, trupi gjykues është i vendosur të urdhërojë mbrojtjen që të zbulojë çdo provë shtesë për qëllimin e dënimit përpara se të dëgjojë parashtresat për dënimin më 17 dhe 18 mars, mbrojtja parashikon se do të jetë në gjendje të zbulojë provat shtesë të dënimit deri në orën 16:00, më 14 mars 2022.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi/