Ministri Bislimi reagon ndaj atyre që e kritikuan, mbron deklaratat e tij se papunësia në Kosovë ka shënuar rënie

Ministri në detyrë i Financave,  Besnik Bislimi duke u thirrur në aplikimet për pako emergjente, dje ka bërë një deklaratë që ka ngjallur reagime të shumta. 

Bislimi dje tha se numri i të papunëve për një muaj shënoi rënie 6.6 për qind dhe se  thënë se shkalla e papunësisë nuk ka qenë asnjëherë me përqindje kaq të ulët sa është tash.

Mirëpo, pas reagimeve të shumta të ekonomistëve e zyrtarëve të partive të ndryshme, Bislimi ka reaguar edhe një herë,  duke mbrojtur deklaratat e tij,  edhe ka dhënë sqarime për këtë, shkruan Reporteri.

Ai ka thënë se nuk ka pretenduar se papunësia është ulur për shkak të pandemisë. Bislimi ka thënë se pakoja emergjente ka krijuar terrenin e përshtatshëm për formalizim të atyre që me vite e kanë konsideruar të leverdishme  të operojnë jashtë kornizave ligjore.

Ai ka thënë se ekonomia joformale është problem shumë i madh i secilit vend, dhe nuk ka nevojë të listohen dëmet direkte dhe indirekte që derivojnë si për sektorin privat ashtu edhe për atë publik, nga kjo veprimtari.

Reagimi i plotë:

Falenderim publik për zotërinjtë Peci dhe Ymeri

Zotëri Peci sot paska marrë mundin që publikisht të propozojë emrin tim për çmimin Nobel për ekonomi, që padyshim është një shprehje maksimale e respektit, dhe për këtë e falenderoj përzemërsisht. Njëkohësisht shfrytëzoj rastin ta informoj që propozimet apo nominimet për çmimin Nobel për ekonomi si rregull nuk bëhen:

1. Nga ata që nuk e njohin ekonominë

2. Nga ata që keqkuptojnë (nga mosdija apo qëllimisht) konstatimet e personave që i nominojnë

3. Për persona që nuk kanë zbuluar as model e as teori për thjeshtë dhe për hir të transparencës (edhe si princip i punës) kanë raportuar për statistikat ekzistuese.

Në vazhdim një thjeshtësim deri në masën që shpresoj e kupton edhe zotëri Peci, i fjalisë së cilës mbase i referohet:

“Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1%”.

Kjo fjali, zotëri Peci, nuk pretendon që papunësia në Kosovë është zvogëluar falë pandemisë, larg qoftë. Do të ishte tmerr sikur dikush me shkollim elementar të mendonte ashtu, siç e paskeni menduar Ju. Kjo fjali bashkë me pjesën tjetër të raportimit të statistikave nënkupton që situata e krijuar si rrjedhojë e pandemisë COVID 19, dhe mënyra e dizajnimit të pakos emergjente, kanë krijuar terrenin e përshtatshëm për formalizim të atyre që me vite e kanë konsideruar të levërdishme (në masë të madhe falë politikave, pjesë e të cilave keni qenë edhe Ju) të operojnë jashtë kornizave ligjore. Zotëri Peci, e me siguri as edhe të tjerët as nuk duhet të frikohen e as të brengosen nga formalizimi i ekonomisë.

Paksa më i sofistikuar, andaj edhe më i stërkequr është reagimi i ish mikut tim Visar Ymeri, i cili si duket trishtohet nga secilit raport pozitiv i punës së qeverisë. Z. Ymeri sikur të kishte pak mundësi ndikimi, gjithë ekonominë e vendit do e kalonte në informalitet, vetëm e vetëm për të mund të arsyetojë devijimin e tij gati trevjeçar politik.

Megjithatë pak shpjegim bazik edhe për Visarin:

1. Formulën për kalkulimin e normës së papunësisë nuk mund e ridefinojmë sa herë të duam. Është e njëjta që përdoret anekënd rruzullit tokësor:

Norma e papunësisë=numri i të papunëve : fuqinë punëtore.

Tash Visar, përpiqu të fusësh në formulë këto informata:
a. Fuqia punëtore në tremujorin e katërt: 502.622;
b. numri i të papunëve të regjistruar 130.289;
c. punëtorë të rinj të regjistruar brenda muajit të kaluar 9.946 (ky numër sot ka arritur në 10.597);
d. numri i atyre që kanë humbur vendi e punës gjatë pandemisë 1.268 (sot ky numër është 1.327).

2. Ekonomia joformale është problem shumë i madh i secilit vend, dhe nuk ka nevojë të listohen dëmet direkte dhe indirekte që derivojnë si për sektorin privat ashtu edhe për atë publik, nga kjo veprimtari. Rrjedhimisht edhe alokohen resurse të ndieshme si humane ashtu edhe financiare për reduktimin e saj. Dhe sa herë që shohim raporte për vendime që kanë rezultuar në uljen e ekonomisë informale, secili prej nesh do duhej të ndihej mire, e të mos turret me sulme. Uroj që të mos kishe preferuar që këta 10.000 persona të mbesin edhe më tej në sektorin joformal. Unë shpresoj që në të ardhmen të arrijmë formalizim më të madh të ekonomisë. Dhe Visar, si edhe besoj e di, një nga arsyet e informalitetit është mosbesimi në institucionet e qeverisë; andaj logjikisht do mund të thuhej e kundërta për motivet që qojnë në formalizim.

3. Kjo pjesa që flet për dëmet e ekonomisë dhe të fuqisë blerëse, ku vend e pavend po përdoren shumat e 130 dhe 170 Euro, besoj s’ka nevojë të komentohet, meqë buron e tëra nga mosleximi i vëmendshëm i masave të pakos emergjence fiskale.

Krejt në fund Visar, paralelisht me uratën që bashkë me familjen ta kaloni sa më lehtë këtë periudhë të pandemisë, shpresoj që edhe në javët, muajt dhe vitet në vijim të jemi të aftë të të zhgënjejmë ty dhe të tjerët si ti, me “manipulime” të këtilla.