Ministria e Jashtme e Kosovës jep një numër emergjent që mund ta kontaktojnë të prekurit nga tërmeti

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është në kontakt me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, pas tërmetit që ndodhi sot.

Sipas një komunikate që e kanë dërguar në MPJ, shtetasit kosovarë që ndodhen në Shqipëri dhe mund të kenë pësuar nga termeti, sugjerohen të kërkojnë ndihmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë. (Numri emergjent: +355 68 241 5291).

Njoftimi i plotë:

MPJ dhe Ministri Pacolli bashkëndjejnë me familjet e viktimave të termetit në Shqipëri

Prishtinë, 26 nëntor 2019 – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me shumë shqetësim lajmet që po vijnë nga Shqipëria, pas termetit të rëndë i cili goditi të martën në mëngjes Durrësin dhe rrethinën e tij.

Zëvëndeskryeministri i Republikës së Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z.Behgjet Pacolli, është në kontakt të vazhdueshëm me homologun e tij, z.Gent Cakaj, dhe autoritetet tjera shqiptare.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave që la pas termeti i sotëm, dhe njëherësh uron që të gjithë të lënduarit të shërohen sa më shpejtë.

Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë i janë përgjigjur nevojës për të ndihmuar autoritetet shqiptare, ndërsa shtetasit kosovarë që ndodhen në Shqipëri dhe mund të kenë pësuar nga termeti, sugjerohen të kërkojnë ndihmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë. (Numri emergjent: +355 68 241 5291)