Mjeku Tritan Kalo jep lajmin e mirë: Ditët e vështira po i hedhim pas shpine, dritë në fund të tunelit…!

Mjeku Tritan Kalo, anëtar i komitetit teknik të epidemisë së shkaktuar nga koronavirusi shpreh besimin se ditët më të vështira po i hedhim pas shpine, pasi sipas tij drita është shfaqur në fund të tunelit.

Mjeku e cilëson shterpë debatin lidhur me rritjen e numrit të testimeve që kërkon PD-ja, ndërsa tregon si fillon një ditë pune te Infektivi. Kalo ripërsërit edhe njëherë qëndrimin se është kundër heqjes së masave shtrënguese “Kujdes, mund ta pësojmë si Wuhani” tha ai.

“09.04.2020….Fundi i javës së katërt të kuarantinës….Dita nis me udhëtimin në urbanin e caktuar për transportimin e personelit të Shëndetësisë….Mberitja në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT = Covid-1, sikundër ai njihet këto ditë të Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19….

Tashmë nga Kliniçistët/Infektiologët, unë mbetem aty “buka më e vjetër”, një pragpensionist.…Fillon dita e punës me mbledhjen e mëngjesit e të gjithë stafit me ekipin e rojes, që drejtohet nga Shefja e Shërbimit, Prof. N. Çomo, gjatë së cilës ne njihemi me evoluimin e situatës në spital…..Veshja me pajisjet e mbrojtjes personale, për aq kohë sa më duhet për të parë të sëmurët si dhe për të qëndruar në mjedisin e izolimit të tyre….

Vijon më pas me diskutime mes kolegësh për trajtimin sa më të kujdesshëm të të gjithë të sëmurëve tanë, si dhe me përditësimin e dijenive tona mbi këtë sëmundje “flamë të përbotëshme”….Deri më tash shpresoj se kemi ecur përmes shtegut të duhur e të mirëtrasuar, sipas parashikimeve të bëra prej nesh….Masat e mara për kufizimin e kontakteve, vetëizolimin, higjienën dhe ushqyerjen e duhur, tregojnë se jemi në udhë të mbarë….Liberalizimi i tyre jo gradual dhe i pa shoqëruar me të tjera masa shtrënguese, është në mendimin tim i parakohshëm nisur edhe nga eksperienca të ngjashme në Japoni dhe në Korenë e Jugut, të cilat ishin kundraproduktive me rinisjen e një vale të dytë infektimesh….

Po ashtu edhe në Kinë vetëm dje pas lirimit te masave në Wuhan pati 67 raste të reja si dhe dy të vdekur nga Covid-19…..Debati shterpë lidhur me numurin e testimeve mundet edhe të vijojë, për sa kohë politika vijon të prevaloje mbi Profesionalizmin, kudo dhe për çdo gjë në këtë Demon-kracinë tonë shpesh andro-menopauzike…Drita fatmirësisht është shfaqur në fund të tunelit…Për sa kohë na duhet ende të ecim në të?!…

Vështirë të thuhet saktësisht, por ditët më të vështira besoj se po i hedhim pas shpine….Bashkëqytetarë të këtij vendi, ju duam shumë….durimi e ndërgjegjësimi juaj, si dhe puna e përkushtimi jonë kanë filluar të na shpërblehen…bashkë ne do ja dalim mbanë!!!” shkruan mjeku.