Morën peng katër pushues nga Kosova, policia arreston të dyshuarit në Durrës

Katër pushues nga Kosova janë marrë peng në Durrës në garazhin e banesës ku qëndronin.

Pronari i shtëpisë në bashkëpunim me një person tjetër, i kanë mbajtur ata në garazh përreth 45 minuta, me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin.

Banesa ndodhet në lagjen nr.13. Pas marrjes së kallëzimit, policia e Durrësit ka kapur dhe vënë në pranga dy autorët, 49-vjeçarin N. Xh., dhe 48-vjeçari D. K., të dy banues në Durrës.

Sipas policisë materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit nga disa shtetas kosovarë, se në lagjen nr. 13, në Durrës, dy shtetas i kishin hequr lirinë atyre, në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit N. Xh., 49 vjeç dhe D. K., 48 vjeç, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit D. K., me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./tch