Mori pensionin e burrit edhe pas vdekjes së tij, të moshuarës në Gjakovë i dalin telashe me Policinë

Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë mbushur moshën 65-vjeçare, gëzojnë të drejtën e pensionit bazik të moshës. Por ata obligohen që çdo gjashtë muaj të paraqiten në zyrat e pensioneve për t’ia dëshmuar shtetit se pensionisti është gjallë, raporton Gazeta Sinjali.

E shpesh ndodh që familjarët tentojnë të përfitojnë pensionet e prindërve ta tyre edhe pasi ata ndërrojnë jetë, duke mos lajmëruar për vdekjen e përfituesit të pensionit.

Sinjali mëson se kështu ka vepruar edhe një 69-vjeçare në qytetin e Gjakovës, e cila edhe pas vdekjes së bashkëshortit të saj, ka vazhduar që ta marrë pensionin e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ajo u zbulua nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe të njëjtit kanë denoncuar rastin në organet e rendit.

69-vjeçarja është shoqëruar në stacion policor ku para hetuesve është shprehur e penduar për tërheqjen e mjeteve, duke thënë se këtë e ka bërë për shkak se ka menduar që i takojnë ligjërisht.

Me urdhër të prokurorit, ndaj saj është iniciuar rasti ‘Mashtrim’ dhe e njëjta do të hetohet në liri.