Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

Nesër në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët por pak më i nxehtë. Do të fillojnë të fryjnë erëra nga jugu dhe juglindja të cilat nganjëherë mund të jenë të fuqishme. Pasdite vonë ka mundësi që të ketë edhe riga lokale shiu kryesisht në rajonin e Dukagjinit dhe në veri të vendit.

Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët me kthjellime të shkurtra. Në veri dhe veriperëndim të vendit priten edhe reshje shiu të cilat në disa momente mund të jenë të dendura.

Në Maqedoninë Veriore nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i thatë, ndërsa në Mal të Zi priten reshje të dendura shiu. Herë pas here priten edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Erërat jugore dhe juglindore do të jenë të pranishme nga dita e nesërme në tërë rajonin tonë të cilat herë pas here pritet të jenë të fuqishme.

Edhe pasnesër pritet mot i ngjashëm. Reshjet intensive do të vazhdojnë në Mal të Zi dhe në Shqipërinë veriore dhe veriperëndimore. Reshje shiu priten edhe në pjesë tjera të Shqipërisë veçanërisht në jug dhe jugperëndim. Reshje shiu (më të rralla) do të ketë edhe në Kosovë sidomos në rajonin e Dukagjinit, kurse në viset tjera reshjet do të jenë të rralla.

Të hënën në tërë rajonin priten reshje shiu, në Shqipëri reshje intensive dhe vende-vende rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Reshjet do të pushojnë pasdite vonë ndërsa të martën në tërë rajonin pritet mot i nxehtë dhe me diell./Meteoballkan