Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

Nesër në Kosovë do të mbajë mot mjaft i paqëndrueshëm. Paradite do të fryjnë erëra nga jugu dhe mund të ketë riga lokale shiu dhe intervale kohore me diell, kurse gjatë dites apo pasdite do të fillojnë të fryjnë erëra veriore të cilat vende-vende mund të jenë të fuqishme. Do të ketë shtim të konsiderueshëm të vranësirave dhe reshje shiu të cilat shumë shpejt do të shndërrohen në reshje bore veçanërisht në viset kodrinore-malore por edhe në disa ultësira.

Edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu e bore në viset kodrinore-malore.

Në mbrëmje reshjet do të ndërpriten në tërë rajonin, por do të jetë ftohtë dhe me erëra veriore të cilat do të vijnë duke u qetësuar gradualisht.

Të shtunën pritet stabilizim i plotë i motit në tërë rajonin tonë. Do të ketë intervale të gjata kohore me diell dhe ngritje të temperaturave.

Nga e diela përsëri do të ketë fuqizim gradual të erërave jugore. Priten intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme Nga mbrëmja vende-vende do të ketë gjasa për reshje lokale shiu veçanërisht në Shqipëri./Meteoballkan